ShBA-ja: "Të papranueshme" sulmet e kryera nga Izraeli në Bregun Perëndimor / Photo: AA

Administrata amerikane i ka cilësuar si "të papranueshme" sulmet brutale të kolonëve izraelitë të kryera në fshatin Jit në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilët lanë të vrarë një palestinez dhe i vendosën flakën shumë shtëpive dhe automjeteve, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj me shkrim intervistës së agjencisë së Anadolut në lidhje me sulmet izraelite në Bregun Perëndimor.

"Sulmet nga kolonët që përdorin dhunë kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Autoritetet izraelite duhet të marrin masa për të mbrojtur të gjithë komunitetin nga dëmtimi", theksoi zëdhënësi.

Sipas tij, Izraeli duhet të ndërmarrë hapa për të parandaluar sulme të tilla dhe për t'i mbajtur përgjegjës autorët.

Në sulmin e kryer nga kolonët hebrenj në fshatin Jit në qytetin Qalqilya të Bregut Perëndimor të pushtuar, një palestinez humbi jetën, një u plagos rëndë dhe u dogjën 4 shtëpi dhe 6 automjete të palestinezëve.

Që nga 7 tetori 2023, ka pasur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.

Në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori, janë vrarë 633 palestinezë, ndërsa rreth 5.400 palestinezë janë plagosur në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që uzurpojnë tokat palestineze.

AA