ShBA: Përfundoi ndërtimi i portit të përkohshëm në Gaza / Photo: Reuters

Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) njoftoi se porti i përkohshëm i krijuar për ndihma humanitare në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vazhduar sulmet që nga 7 tetori, ka përfunduar dhe ndihmat do të fillojnë brenda pak ditësh.

Në njoftimin e bërë në llogarinë e komandës në rrjetet sociale, thuhet se personeli i CENTCOM-it u ankorua në një port të përkohshëm të vendosur në brigjet e Gazës në mëngjes për të mbështetur përpjekjet për ndihmë humanitare për civilët palestinezë.

Asnjë ushtar amerikan nuk ka hyrë në Gaza, thuhet në njoftim, duke shtuar se "ndihma që vjen përmes kamionëve që transportojnë ndihma humanitare pritet të merren nga zona bregdetare brenda pak ditësh".

"Kombet e Bashkuara do të marrin ndihmën dhe do të koordinojnë shpërndarjen në Gaza", thuhet në deklaratë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi më 8 maj se përfundoi ndërtimi i një porti të përkohshëm që planifikohej të ndërtohet në det në brigjet e Gazës për të ofruar ndihma humanitare nga deti.

Izraeli ka vrarë më shumë se 35.100 palestinezë që nga ofensiva ndërkufitare e Hamasit më 7 tetor 2023, ku sipas Tel Avivit u vranë 1.200 persona.

Teksa konflikti ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës së bllokuar, ai gjithashtu ka çuar në zhvendosje të brendshme dhe mungesë të madhe të ushqimit dhe gjërave të tjera thelbësore, duke përfshirë karburantin dhe ilaçet.


TRT Balkan / agjencitë