ShBA: Policia ndalon protestën propalestineze / Photo: AA

Policia të enjten ndaloi një protestë studentore propalestineze dhe arrestoi dhjetëra protestues që pushtuan një ndërtesë të braktisur në Universitetin e Kalifornisë (UC) në Berkeley.

Oficerët e policisë pastruan sallën Anna Head Alumnae të UC Berkeley, në të cilën ndodheshin protestuesit pasditen e së mërkurës.

Studentët e universiteteve anembanë botës po mblidhen nëpër kampuse për demonstrata kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, me protestat e para të tilla, që kanë nisur muajin e kaluar në Universitetin Columbia në Nju Jork.

Izraeli sulmoi Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar që vrau rreth 1.200 njerëz.

Të paktën 35.233 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 79.100 janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Më shumë se shtatë muaj pas fillimit të luftës së Izraelit, pjesë të mëdha të Rripit të Gazës janë në gërmadha, ndërsa 85 për qind e popullsisë së enklavës është e zhvendosur brenda vendit

Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.

AA