Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur midis Hamasit dhe Izraelit për pauzë humanitare.
"Ne shohim më shumë konkurrencë globale, konkurrencë të fuqive të mëdha. Lufta në Ukrainë po vazhdon, ashtu si lufta e re në Lindjen e Mesme. Unë e mirëpres marrëveshjen midis Hamasit dhe Izraelit që duhet të çojë në lirimin e pengjeve dhe ndalimin e armiqësive, si dhe të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitar", tha Stoltenberg para takimit me liderët e vendeve aleate të NATO-s në Ballkanin Perëndimor
Mbrëmë, Izraeli dhe Hamasi njoftuan se kanë arritur marrëveshje për pauzë humanitare 4-ditore dhe shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, marrëveshje e cila përfshin shkëmbimin e 50 izraelitëve të mbajtur nga Hamasi në këmbim të 150 palestinezëve në burgjet izraelite.
Besohet se grupi palestinez Hamas mban të paktën 239 izraelitë pas një sulmi ndërkufitar të grupit më 7 tetor, pas çka Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës.
Që atëherë, njoftojnë autoritetet në Gaza, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në enklavën e rrethuar është rritur në 14.128, përfshirë 5.840 fëmijë dhe 3.920 gra. Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.
Stoltenberg qëndron për vizitë në Shkup, ku së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, po presin në takim liderët e vendeve aleate të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, respektivisht liderët e Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.
Në fjalën e tij para fillimit të takimit, Stoltenberg falënderoi Maqedoninë e Veriut për lidershipin dhe përkushtimin ndaj NATO-s, si dhe theksoi se Maqedonia e Veriut është një vend i suksesshëm në shumë mënyra të ndryshme, përfshirë të qenit një "shoqëri e suksesshme multi-etnike që e demonstron në rajon, por edhe më gjerë se njerëzit me prejardhje të ndryshme mund të jetojnë së bashku në mënyrë paqësore".
"Maqedonia e Veriut është një aleat shumë i vlerësuar dhe këtë e dëshmon edhe fakti që ne vijmë sot këtu në këtë samit të liderëve të NATO-s. mezi pres të diskutoj për sigurinë e rajonit me liderët, por edhe të adresojmë disa nga sfidat me të cilat përballemi përtej këtij rajoni", theksoi shefi i NATO-s.