Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi aleatët të enjten që të mos i besojnë teknologjisë kineze ndërsa zhvillojnë infrastrukturën kritike digjitale.
“Ne kemi parë rezultatet e mbështetjes te Rusia për furnizimin tonë me energji. Nuk duhet ta përsërisim këtë gabim duke u mbështetur te Kina për të ofruar teknologjinë për rrjetet tona kritike”, tha ai.
Vërejtjet e Stoltenberg erdhën në Berlin gjatë Konferencës së parë vjetore të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, e cila mblodhi së bashku zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe ekspertë të sigurisë nga vendet anëtare dhe partnerët e NATO-s.
Ai argumentoi se vende si Rusia dhe Kina po sfidojnë vlerat dhe interesat e Perëndimit, si dhe sigurinë në hapësirën kibernetike.
“Ndërsa Kina nuk është kundërshtari ynë, ajo nuk ndan vlerat tona. Dhe është e vendosur të formësojë të ardhmen e hapësirës kibernetike sipas imazhit të saj. Me pak transparencë dhe pa respekt për të drejtat e njeriut”, tha ai, ndërsa akuzoi Kinën për përdorimin e teknologjive të reja si mjete për shtypje në vend.
"Dhe ajo po eksporton teknologjitë e saj, duke përfshirë njohjen e fytyrës, si instrumente të kontrollit shtetëror në vendet anembanë botës. Po propozon gjithashtu protokolle të reja interneti në Kombet e Bashkuara, për të sfiduar vetë nocionin e një hapësire kibernetike të lirë dhe të hapur”, shtoi Stoltenberg.
Shefi i mbrojtjes i NATO-s tha se vendet anëtare duhet të rrisin bashkëpunimin për teknologjitë e reja dhe sigurinë kibernetike, dhe të mbështesin projektet e përbashkëta me sektorin privat.
“Nëpërmjet NATO-s, ne mund të punojmë së bashku për të forcuar sigurinë tonë kibernetike, për të ndërtuar një hapësirë të sigurt kibernetike për të gjithë dhe për të mbajtur të sigurt 1 miliard njerëzit tanë”, tha ai.
“Nuk është e mundur të mbahen të sigurta kombet tona pa sektorin privat. Pra, ne duhet të flasim, të planifikojmë dhe të ushtrojmë më shumë së bashku”, shtoi Stoltenberg.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn, Ministri i Jashtëm holandez Hanke Bruins Slot, Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministrja e Jashtme e Finlandës Elina Valtonen dhe Nënsekretari Parlamentar i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën Leo Docherty ishin mes pjesëmarrësve në konferencë.