Shefi i UNRWA-së paralajmëron se fëmijët e Gazës ngrijnë deri në vdekje          / Foto: AA

Komisari i përgjithshëm i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka paralajmëruar se fëmijët në Gaza po vdesin nga ngrica për shkak të motit të ftohtë dhe mungesës së madhe të strehimit.

“Foshnjat e Gazës po ngrijnë deri në vdekje për shkak të motit të ftohtë dhe mungesës së strehimit”, shkroi Lazzarini në një postim në rrjetin social X.

Duke iu referuar bllokadës çnjerëzore izraelite të enklavës bregdetare palestineze, Lazzarini theksoi se “batanije, dyshekë dhe furnizime të tjera dimërore kanë ngecur në rajon për muaj të tërë në pritje të miratimit për të hyrë në Gaza”.

Shefi i UNRWA-së përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm, duke kërkuar “një rrjedhë të menjëhershëm të furnizimeve bazë shumë të nevojshme, përfshirë edhe për stinën e dimrit”.

Dje, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Munir Al-Barsh, tha për Anadolu se gjatë javës së kaluar tre fëmijë palestinezë humbën jetën në kampet e improvizuara të zhvendosjes për shkak të temperaturave të ulëta dhe ngricave.

Të mërkurën, Sila Mahmoud Al-Faseeh, fëmijë dy javësh, ndërroi jetë nga ekspozimi ndaj të ftohtit në një kamp në Al-Mawasi në qytetin Khan Younis. Ajo ishte foshnja e dytë që humbi jetën në të njëjtin kamp, pas vdekjes së Aisha Adnan Al-Qassas më 20 dhjetor.

Që nga java e parë e tetorit të vitit të kaluar, Izraeli ka vrarë të paktën 45.400 palestinezë në Gaza, si dhe e ka kthyer enklavën në rrënoja.

Muajin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Izraeli për veprimet e tij në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

TRT Balkan / agjencitë