Sulmet brutale izraelite mbi popullatën palestineze në Gaza e kanë vështirësuar në maksimum jetën e përditshme të qindra mijëra civilëve. Një prej tyre është Abu Muhammad Hassan, një palestinez i moshuar, i cili çdo ditë niset në një mision të mundimshëm dhe të rrezikshëm në kërkim të drunjve të zjarrit nga rrënojat e shtëpive të shkatërruara nga lufta izraelite në Rripin e Gazës.
“Dal çdo mëngjes për të mbledhur dru, pasi nuk kemi karburant ose gaz për ngrohje dhe përgatitje ushqimi. Kushtet këtu janë shumë të vështira”, tha Hassan.
Drurët dhe degët e mëdha Abu Muhammad i çon në oborrin e shtëpisë së tij, ndërsa mbesa e tij tërheq zvarrë me duart e saj të vogla sa më shumë degë që t’ia lehtësojë punën gjyshit të shtyrë në moshë. Banorët e rajonit, veçanërisht të qytetit të Gazës dhe të Prefekturës së Veriut, po kalojnë një kohë të gjatë çdo ditë duke mbledhur dru dhe kartona, për t’i përdorur ato për zjarr me qëllim përgatitjen e ushqimit, për të ngrohur ujin, si dhe për nevoja të përditshme.
“A e shihni vuajtjen që po përjetojmë në veri të Gazës? Ne mbledhim dru zjarri nga kudo, madje edhe nga vendet e shkatërruara dhe të rrezikshme”, tha Hassan dhe shtoi se presin disa degë nga pemët e mbjella në rrugët publike dhe më pas kërkojmë ushqim si thjerrëza, fruta dhe fasule”, shtoi ai.
Qëkur Izraeli nisi luftën e tij shkatërruese në Rripin e Gazës më 7 tetor, banorët e enklavës kanë vuajtur shumë nga mungesa e karburantit dhe gazit për gatim. Pas presionit të OKB-së dhe të komunitetit ndërkombëtar, Izraeli lejoi që ndihma humanitare shumë e kufizuar të hynte në Rripin e Gazës përmes vendkalimit tokësor Rafah në jug të Rripit të Gazës.
“Nuk ka gaz, ujë, miell gruri, e as oriz si zëvendësues i miellit nuk ekziston”, thotë i moshuari.
“Ne nuk kemi marrë asnjë ndihmë këtu në veri të Rripit të Gazës. Kushtet janë të vështira përtej çdo imagjinate dhe ne po përpiqemi të përshtatemi me këtë jetë, por kjo është e paarsyeshme”, shtoi Hassan.
Para luftës, vetëm disa familje blinin dru zjarri për ngrohje në dimër. Megjithatë, kushtet e reja e kthyen jetën e të gjithë palestinezëve në enklavë në një jetë primitive. Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Gaza më 7 tetor, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas, duke vrarë më shumë se 29.000 palestinezë dhe duke plagosur 67.147 të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Ofensiva izraelite ka zhvendosur brenda territorit 85 për qind të popullsisë së Gazës, e cila po përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 70 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli është akuzuar për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.