Shorti i çerekfinales së Ligës së Kampionëve, dominojnë skuadrat italiane.     /Foto: AA

Në Nyon të Zvicrës sot do të hidhet shorti i çerekfinales dhe gjysmëfinales aë UEFA Ligës së Kampionëve.

Real Madrid, Napoli, Bayern Munchen, Benfica, Chelsea, Manchester City, AC Milan dhe Inter Milan janë skuadrat e kualifikuara në çerekfinale.

Kështu, në mesin e tetë ekipeve më të mira në Evropë, tri vijnë nga Italia, dy nga Anglia dhe nga një ekip nga Gjermania, Spanja dhe Portugalia.

Rregullat e shortit dhe datat

Gjatë shortit nuk ka asnjë përzgjedhje ose përjashtim sa u përket klubeve, kështu që shorti mund të vendosë që mes vete mund të përballen edhe klube nga i njëjti shtet, ose klube që më herët kanë luajtur në të njëjtin grup të Ligës së Kampionëve.

Ndeshjet e para të çerekfinaleve do të luhen në datat 11-12 prill, ndërsa ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 18-19 prill.

Gjysmëfinalet do të zhvillohen në datat 9-10 dhe 16-17 maj.

Finalja e Ligës së Kampionëve do të jetë më 10 qershor në Stadiumin Olimpik Atatürk në Istanbul. Në këtë stadium është zhvilluar finalja legjendare e vitit 2005 ku Liverpool riktheu rezultatin kundër AC Milan, për të fituar trofeun më prestigjioz të futbollit evropian.

Ç’thonë sondazhet?

Pavarësisht që Reali i Madridit është kampion në fuqi i Ligës së Kampionëve, favorit kryesor për ta rrëmbyer trofeun këtë vit sipas Indeksit të Fuqisë së Futbollit mbetet Manchester City me 33 përqind të mundësive.

E dyta renditet Bayerni i Mynihut me 23 për qind, Reali i Madridit me 14 për qind, Napoli me 11 për qind, Benfica me 7 për qind, Chelsea 6 për qind, Interi 4 për qind dhe Milani me 2 për qind.

TRT Balkan