Gjykata e juntës ushtarake dënoi ish-udhëheqësen e Mianmarit Aung San Suu Kyi me shtatë vjet të tjera, duke e çuar dënimin në total në të gjitha rastet në 33 vjet burgim.
Vendimi i fundit ishte i 15-ti me radhë dhe njëkohësisht i fundit në rastet e dyshimit për korrupsion.
Ish-këshilltarja e shtetit Suu Kyi u arrestua vitin e kaluar në shkurt pas grusht shtetit të kryer nga ushtria e Mianmarit.
Dënimi i fundit me burg u shqiptua sot në godinën e burgut nga Këshilli Ushtarak, konfirmoi dhoma e lajmeve e Gjykatës, sipas Khit Thit Media.
Në tetor, lideres së burgosur të Mianmarit iu shqiptuan edhe dy dënime të tjera me nga tri vite burg për “korrupsion”, duke e çuar dënimin në 26 vjet burg.
Kundër Suu Kyi u ngritën akuza të ndryshme, si mashtrim i supozuar në zgjedhje, shkelje e rregullave të sigurisë publike të COVID-19, importim i radio-lidhjeve dhe shkelje e aktit të sekreteve zyrtare.
Në fillim të këtij viti në qershor, regjimi ushtarak e dërgoi atë me burg dhe e vendosi në izolim.
Pas rrëzimit të saj në grushtin ushtarak më 24 shkurt 2021, Suu Kyi u vendos në arrest shtëpiak deri në prill të këtij viti, kur ajo u dërgua në një vend të panjohur, që besohet të jetë burgu në Naypyitaw, kryeqytetin e Mianmarit.
Suu Kyi më parë kaloi rreth 15 vjet në arrest shtëpiak gjatë regjimeve të ndryshme të juntës në vendin me shumicë budiste.
Ajo u burgos për herë të dytë në vitin 2009. Regjimi i atëhershëm i juntës e kishte transferuar atë në burgun Insein në Yangon për katër muaj më herët gjatë atij viti për "shkelje të rregullave të arrestit shtëpiak".
Qeveria e Suu Kyi u rrëzua pasi partia e saj Lidhja Kombëtare për Demokraci fitoi zgjedhjet kombëtare në nëntor 2020.
Grushti i shtetit u prit me trazira mbarëkombëtare, ndërsa qytetarët shprehën paknaqësinë për largimin e saj dhe sundimin ushtarak. Junta shtypi protestat me dhunë, pavarësisht paralajmërimeve të OKB-së se vendi kishte hyrë në luftë civile.
Zyra e të drejtave e OKB-së ka thënë se të paktën 2.316 njerëz, duke përfshirë të paktën 188 fëmijë, janë vrarë në Mianmar që kur pushteti kaloi në duart e ushtrisë.