Shtetet arabe ashpër e dënuan sulmin izraelit në një spital të Gazës.     /Foto: AA

Bombardimi i Izraelit ndaj Spitalit Baptist Al Ahli në Gaza të martën mbrëma tërhoqi reagimin dhe dënimin e gjerë nga shtetet arabe.

Deklaratat zyrtare që dënojnë sulmin janë lëshuar nga Arabia Saudite, Katari, Omani, Egjipti, Algjeria, Libani dhe Libia.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se më shumë se 500 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al Ahli në Gaza të martën në mbrëmje.

Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite tha se "dënon në termat më të ashpër të mundshëm krimin e urryer të kryer nga forcat okupuese izraelite duke bombarduar Spitalin Al Ahli në Gaza, i cili çoi në vdekjen dhe plagosjen e qindra civilëve, përfshirë fëmijë."

Në deklaratë thuhej se ata i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalojë të merret me standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për "praktikat kriminale izraelite".

Ministria e Jashtme e Katarit e përshkroi bombardimin në spital si një "masakër brutale dhe krim të urryer kundër civilëve të pambrojtur".

Gjithashtu, thuhet se bëhet fjalë për “shkelje flagrante të dispozitave të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.

“Zgjerimi i sulmeve izraelite në Gaza ndaj objektivave civile, përfshirë spitalet, shkollat ​​dhe banorët, konsiderohet një përshkallëzim i rrezikshëm në konfrontimin e vazhdueshëm dhe sjell pasoja të tmerrshme për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, shtoi ai.

Ministria e Punëve të Jashtme e Omanit dënoi sulmin në spital, duke thënë se ajo që ndodhi ishte një "krim lufte".

Ministria e Jashtme egjiptiane dënoi gjithashtu bombardimin izraelit në spitalin Al Ahli.

U theksua se “bombardimi i qëllimshëm i objekteve dhe objektivave civile është shkelje e rëndë e dispozitave të së drejtës ndërkombëtare dhe humanitare dhe vlerave më themelore të njerëzimit”.

Presidenca e Algjerisë dënoi "sulmin e qëllimshëm të forcave okupuese ndaj spitalit në Gaza".

Kryeministri libanez Najib Mikati dënoi aktin që çoi në vdekjen e "qindra martirëve në Spitalin Baptist në Gaza si rezultat i krimit të Izraelit" dhe denoncoi "ndërgjegjen globale që hesht ndaj padrejtësisë".

Në Libi, kreu i Qeverisë së Unitetit Kombëtar, Abdul Hamid Dbeibeh, tha se sulmi në spitalin e Gazës ishte "një krim brutal nga forcat okupuese izraelite".

TRT Balkan / agjencitë