Shtetet arabe në OKB me rezolutë për armëpushimin “të menjëhershëm” në Gaza.     /Foto: AA

Vendet arabe po hedhin në votim një rezolutë të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza, duke e ditur se do t'i vihet veto nga Shtetet e Bashkuara, por duke shpresuar të tregojnë mbështetje të gjerë globale për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.

Këshilli i Sigurimit caktoi votimin mbi rezolutën të martën.

15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë negociuar për rezolutën e mbështetur nga Arabët për tri javë.

Algjeria, përfaqësuese arabe në Këshill, vonoi votimin pas një kërkese të ShBA-së shkaku se Sekretari i Shtetit i ShBA-së Antony Blinken ishte së fundmi në rajon, duke shpresuar të arrinte një marrëveshje pengjesh.

Por, Katari tha të shtunën se bisedimet "nuk kanë përparuar siç pritej". Grupi Arab vendosi gjatë fundjavës se i kishte dhënë ShBA-së kohë të mjaftueshme dhe e vendosi rezolutën e tyre në formën përfundimtare për votim.

ShBA-ja: Rezoluta e mbështetur nga arabët nuk është “mekanizëm efektiv”

Ambasadorja e ShBA-së Linda Thomas-Greenfield tha se administrata Biden do të vërë veton ndaj rezolutës së mbështetur nga arabët, sepse ajo mund të ndërhyjë në përpjekjet e vazhdueshme të ShBA-së për të rregulluar një marrëveshje midis palëve ndërluftuese që do të sillte të paktën një ndalesë gjashtëjavore të armiqësive dhe do të lironte të gjithë pengjet e marra nga Hamasi.

Zëvendësambasadori i ShBA-së, Robert Wood, u tha disa gazetarëve të hënën se rezoluta e mbështetur nga arabët nuk ishte "mekanizëm efektiv për përpjekjen për të bërë të tria gjërat që duam të shohim të ndodhin, që është nxjerrja e pengjeve, më shumë ndihmë dhe një pauzë e gjatë e këtij konflikti”.

Wood u shpreh se, "Ajo që po shohim është një tjetër opsion i mundshëm dhe ne do ta diskutojmë këtë me miqtë në vijim," dhe shtoi, "Unë nuk mendoj se mund të presësh që të ndodhë diçka nesër."

Një zyrtar i lartë amerikan tha më vonë të hënën, "Ne nuk besojmë në një nxitim për një votim."

Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti përpara diskutimeve të këshillit mbi draftin e ShBA-së, tha: "Ne synojmë të angazhohemi në ditët në vijim në negociata intensive rreth tij... Kjo është arsyeja pse ne nuk po vendosim një afat kohor për një votim, por po e bëjmë njohin urgjencën e situatës”.

Armëpushim urgjent

Shtetet arabe, të mbështetura nga shumë prej 193 vende anëtare të OKB-së, kanë kërkuar një armëpushim prej muajsh, ndërsa sulmet e pamëshirshme të Izraelit në Gaza janë intensifikuar.

Ambasadori i Tunizisë në OKB Tarek Ladeb, kryesuesi i këtij muaji i Grupit Arab prej 22 vendesh, u tha gazetarëve të OKB-së të mërkurën e kaluar se urgjentisht nevojitet armëpushim.

Ai vuri në dukje rreth 1,5 milion palestinezë që kërkuan siguri në qytetin jugor të Gazës, Rafah dhe përballen me një "skenar katastrofik" nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu avancon me planin e tij për ofensivën ushtarake të Izraelit në zonën në kufi me Egjiptin.

Përveç armëpushimit tani, projektrezoluta e mbështetur nga arabët kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve, refuzon zhvendosjen e detyruar të civilëve palestinezë dhe bën thirrje për qasje të papenguar humanitar në të gjithë Gazën.

TRT Balkan / agjencitë