Një sondazh i fundit zbuloi se 64 për qind e amerikanëve kundërshtojnë propozimin e Presidentit Donald Trump që ShBA-ja të "marrë përsipër" dhe "zotërojë" Rripin e Gazës dhe ta transformojë atë në atë që ai e përshkroi si "Riviera e Lindjes së Mesme".
Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve shprehën kundërshtim të fortë ndaj këtij plani.
Gjegjësisht, 47 për qind thanë se e kundërshtojnë "fuqishëm" planin dhe 17 për qind thanë se "deri diku" e kundërshtojnë atë, sipas një sondazhi të kryer nga instituti progresiv dhe firma e sondazheve "Data for Progress".
Në mesin e votuesve demokratë, 85 për qind e kundërshtuan këtë ide, ndërsa 43 për qind e republikanëve ishin kundër saj. Ndërkohë, 46 për qind e të anketuarve republikanë e mbështetën propozimin.
Sondazhi, i cili anketoi 1.200 të anketuar në gjithë ShBA-në, vuri në dukje se një plan i tillë do të përfshinte "zhvendosjen me forcë" të rreth 1,8 milion palestinezëve që aktualisht jetojnë në Gaza në vendet fqinje.
"Shumica dërrmuese e të anketuarve janë kundër marrjes së kontrollit të Gazës nga ShBA-ja dhe zhvendosjes së popullsisë palestineze", tha Data for Progress.
Propozimi i Trump për ta zhvendosur me forcë palestinezët, i cili është refuzuar gjerësisht nga palestinezët dhe bota më e gjerë arabe dhe myslimane, vjen në kohën e një marrëveshjeje të brishtë armëpushimi që hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke ndalur ofensivën 15-mujore të Izraelit që ka vrarë më shumë se 48.200 njerëz.
Izraeli ka mbajtur një bllokadë të Gazës prej vitesh, duke e kthyer atë në burgun më të madh në ajër të hapur.
Gati 2 milionë nga 2,3 milionë banorët e saj janë zhvendosur me forcë që nga fillimi i luftës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, pasi ata u përballën me mungesë të madhe ushqimi, uji dhe ilaçesh.