Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, duke dënuar "masakrën që është shndërruar në rutinë" në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos heshtë më.
Sanchez mbajti një fjalim në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të gazetës "La Vanguardia".
Ai tha se duhet mbrojtur e drejta dhe paqja ndërkombëtare në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
"Nëse komuniteti ndërkombëtar hesht, zërat tanë do të jenë më të lartë për të mbrojtur të drejtën dhe paqen ndërkombëtare", deklaroi Sanchez.
"Ata që e urrejnë demokracinë e persekutojnë kudo. Ne jetojmë nën sulmin e pamëshirshëm të gënjeshtrës. Armiqtë e demokracisë nuk respektojnë asnjë rregull. Përballë kësaj sfide, ne duhet të ecim përpara dhe të mbrojmë demokracinë", tha ai.
Nga ana tjetër, pas sulmeve të Izraelit ndaj Libanit, kryediplomati spanjoll Jose Manuel Albares në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) nëpërmjet video-konferencës, përsëriti thirrjen për armëpushim.
"Spanja bën thirrje për armëpushim në Liban. Të gjithë të ndërmarrin veprime për të ndaluar dhunën në rritje në Lindjen e Mesme. Ne duhet t'i mbrojmë civilët libanezë. Qëllimi ynë është paqja", theksoi Albares.
Ai përsëriti thirrjen për qytetarët spanjollë në Liban që të "largohen nga ky vend".