Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se për të ulur barrën mbi SHBA-në, NATO do të ndërmarrë rol udhëheqës në ofrimin e ndihmës së sigurisë dhe trajnimit për Ukrainën.
Pas takimit të tij me presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, Stoltenberg tha se do të dakordohen që NATO-ja të ndërmarrë rol udhëheqës në ofrimin e ndihmës së sigurisë dhe trajnimit për Ukrainën. "Kjo është shumë e rëndësishme sepse do të sigurojë më shumë parashikueshmëri dhe më shumë llogaridhëne kur bëhet fjalë për mbështetjen tonë që kemi dhënë për Ukrainën", tha ai.
Stoltenberg vuri në dukje se kjo në të njëjtën kohë do të ul barrën mbi ShBA-në dhe se mirëpresin vendimin e Kongresit Amerikan për ndihmën prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Pasi ndau informacionin se organizimet për ofrimin e sigurisë ndaj Ukrainës me shumë mundësi do të zhvillohen nga baza ushtarake amerikane që ndodhet në Gjermani, Stoltenberg nënvizoi se me këtë rast NATO-s do t'i jepet rol më i madh.
Stoltenberg tërhoqi vëmendjen se Rusia kërkon më shumë territor si parakusht për marrëveshjen e armëpushimit me Ukrainën. "Ky nuk është propozim paqeje, por një propozim që Rusia të arrijë qëllimet e saj në luftë duke bindur Ukrainën të heqë dorë nga sovraniteti dhe integriteti i saj territorial", tha kreu i NATO-s.
Ai shtoi se forcimi i aftësive ushtarake është rruga më e mirë për të arritur paqe të përhershme dhe të drejtë në Ukrainë. Stoltenberg tha se kjo do të sigurojë që Ukraina të mbijetojë si një komb sovran dhe i pavarur.