Është vendosur që mandati i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të zgjatet për të katërtën herë edhe me një vit.
Në një komunikatë nga NATO-ja thuhet se vendet aleate kanë rënë dakord për zgjatjen e afatit të detyrës së Stoltenbergut, e cila përfundon më 30 shtator.
Vendimi do të miratohet nga krerët e shteteve dhe qeverive në Samitin e NATO-s që do të mbahet më 11-12 korrik në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius. Me këtë vendim Stoltenberg do të vazhdojë të kryejë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s deri më 1 tetor 2024.
Në një deklaratë Stoltenberg tha: "Jam krenar nga vendimi i aleatëve të NATO-s për të zgjatur mandatin tim".
Mandatet e Stoltenbergut
Jens Stoltenberg është në këtë detyrë nga 1 tetori 2014 e deri më tani. Mandati i ish-kryeministrit norvegjez Stoltenberg është zgjatur më parë tri herë.
Për detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, javët e fundit u përmendën shumë emra, por në pah doli mundësia për zgjatjen e mandatit të Stoltenbergut. Theksohej se shumica e vendeve të NATO-s ishin pro zgjatjes dhe se dëshironin që Stoltenbergu të qëndronte në detyrë në një periudhë kur tensionet me Rusinë janë shumë të larta.
Stoltenberg pak para fillimit të sulmit të Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022 deklaroi se do të bëhej kreu i Bankës Qendrore të vendit të tij. Mandati i Stoltenbergut u zgjat pak kohë pas fillimit të luftës.
Banka Qendrore e Norvegjisë menaxhon Fondin e Pasurisë së Norvegjisë i cili është fondi më i madh në botë. Madhësia e fondit tejkalon 1,4 trilion dollarë.