Sulm me bomba ndriçuese ndaj shtëpisë së Netanyahut, arrestohen 3 izraelitë           / Foto: AA

Policia izraelite arrestoi tre persona të dielën për lëshimin e bombave ndriçuese ndaj shtëpisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në veri të Izraelit.

Dy bomba ndriçuese ranë në kopshtin e shtëpisë së Netanyahut në Caesarea të shtunën. As Netanyahu dhe as familja e tij nuk ishin brenda shtëpisë dhe nuk u raportua për ndonjë dëm.

Transmetuesi publik izraelit KAN tha se tre persona u arrestuan për incidentin, pa dhënë detaje për identitetin e tyre.

Gazeta izraelite "Yedioth Ahronoth" tha se një nga të dyshuarit e arrestuar është një oficer i lartë rezervist, gjeneral brigade, i cili ka qenë aktiv në protestat kundër qeverisë së Netanyahut gjatë dy viteve të fundit.

Incidenti i së shtunës ndodhi gati një muaj pas një sulmi me dron të Hezbollahut ndaj së njëjtës shtëpi më 19 tetor. As Netanyahu dhe as familja e tij nuk ishin në shtëpi në atë kohë.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar për shkak të ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë gati 43.800 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga viti i kaluar.

Konflikti është përhapur në Liban, me Izraelin që ka nisur sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, në një përshkallëzim të luftës njëvjeçare ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i luftës në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë