Sulmet ajrore turke shkatërrojnë 16 objektiva terroriste në Irakun verior      / Foto: TRT World

Forcat turke të sigurisë kryen operacione ajrore në Irakun verior, pranë kufirit turk, duke shkatërruar 16 objektiva terroriste dhe duke "neutralizuar" shumë terroristë, tha të premten Ministria e Mbrojtjes Kombëtare.

“Operacionet u kryen në rajonet Gara, Metina, Hakurk dhe Kandil për të parandaluar sulmet terroriste ndaj Türkiyes dhe forcave të saj të sigurisë nga Iraku verior duke neutralizuar anëtarët e grupit terrorist PKK dhe elementë të tjerë terroristë dhe për të garantuar sigurinë kufitare në përputhje me të drejtën e vetëmbrojtjes të Türkiyes që buron nga neni 51 i Kartës së OKB-së”, thuhet në komunikatë.

Objektivat përfshinin shpella, bunkerë, strehimore dhe magazina që konsideroheshin se strehonin krerët e grupit terrorist PKK, thuhet më tutje.

Një numër i madh terroristësh u "neutralizuan" gjithashtu në operacionet, gjatë të cilave u përdorën municione të prodhimit turk, shtoi ministria.

Forcat turke të sigurisë do të vazhdojnë me vendosmëri në luftën kundër terrorizmit derisa të mos mbetet asnjë terrorist, duke garantuar mbijetesën dhe sigurinë e vendit dhe popullit tonë, thuhet në deklaratë.

Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në Irakun verior për të komplotuar sulme ndërkufitare në Türkiye.

"Gjatë këtij operacioni, u mor çdo masë paraprake e mundshme për të mbrojtur civilët e pafajshëm, elementët miqësorë, monumentet historike dhe kulturore dhe mjedisin nga çdo dëm," shtoi ministria.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja – e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

AA