Sulmet izraelite në Gaza vrasin 189 punonjës të OKB-së / Photo: AA

Numri i punonjësve të OKB-së të vrarë në Rripin e Gazës, ku Izraeli vazhdon sulmet prej më shumë se 7 muajsh, është rritur në 189.

Raporti i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) thekson se sulmet izraelite në Rripin e Gazës shkaktuan viktima civile, zhvendosje dhe dëmtime në infrastrukturë, si dhe se sulmet tokësore të ushtrisë izraelite vazhduan të zgjerohen në qytetin e Gazës, në lindje të Rafahut në jug dhe rreth pikave kufitare Rafah dhe Karam Abu Salim.

Thuhet se numri i punonjësve të UNRWA-së të vrarë në Rripin e Gazës, i cili është nën sulm nga ushtria izraelite, është rritur në 189 që nga 7 tetori 2023.

Duke cituar të dhënat nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) thuhet se pavarësisht nevojës në rritje, organizatat e ndihmave humanitare pengohen vazhdimisht të kenë qasje te njerëzit e cenueshëm, veçanërisht në veri të Gazës.

Autoritetet izraelite lehtësuan vetëm 9 nga 32 përpjekjet e ndihmave humanitare të planifikuara për veriun e Gazës nga 1 deri më 9 maj dhe se autoritetet izraelite hodhën poshtë drejtpërdrejt 5 përpjekje për ndihmë humanitare, parandaluan 11 prej tyre dhe anuluan 7 për shkak të pengesave logjistike.

Në të njëjtën datë u tha se në rajonet ku kërkohej koordinimi në jug të Gazës, Izraeli lehtësoi 25 nga 46 përpjekjet e ndihmës, refuzoi 9, bllokoi 3 dhe anuloi 9 për shkak të problemeve logjistike.

"Operacioni ushtarak i Izraelit në Rafah ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e agjencive të ndihmës për të sjellë furnizime të rëndësishme humanitare në Gaza", thuhet në raport.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, u vranë 35.173 palestinezë, përfshirë të paktën 14.944 fëmijë dhe 9.849 gra, ndërsa 79.061 persona u plagosën. Ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.

TRT Balkan / agjencitë