Të paktën 45 të vrarë në sulmet e Izraelit gjatë natës në Gaza / Photo: AA

Të paktën 45 palestinezë kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë gjatë natës ndaj pikave të ndryshme të Rripit të Gazës.

Siç raporton agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA, 11 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin ajror që avionët luftarakë izraelitë kryen ndaj një shtëpie të familjes Al-Amuri në zonën Al-Fakhari në lindje të qytetit Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Të paktën 20 persona humbën jetën si pasojë e shënjestrimit nga Izraeli të shtëpisë së një palestinezi në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, ndërkohë shumë persona kanë humbur jetën dhe janë plagosur si pasojë e bombardimit të shtëpisë së familjes Diyab në kampin e refugjatëve Al-Shabura në Rafah.

Avionët luftarakë izraelitë kryen një sërë sulmesh edhe ndaj kampit të refugjatëve Al-Maghazi në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Bëhet e ditur se 14 persona humbën jetën në sulmet ajrore të cilat shënjestruan të paktën dy shtëpi si dhe xhaminë Az-Zaferan në kamp.

Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, duke e lënë atë në gërmadha, me gjysmën e banesave të dëmtuara ose të shkatërruara dhe gati 2 milionë banorë të zhvendosur, të cilët po përballen me mungesë akute të ushqimit dhe ujit të pastër.

Të paktën 21.320 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 55.603 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore, ndërsa rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.

TRT Balkan / agjencitë