Të paktën 80 palestinezë u vranë gjatë natës në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, raportojnë mediat.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi se Izraeli vazhdoi sulmet e tij në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, duke përfshirë kampin e refugjatëve Nusairat dhe qytetin e Gazës.
Shumë palestinezë mbetën të plagosur në sulmet ndaj shtëpive dhe ndërtesave të civilëve në Gaza.
Ushtria bombardoi një shtëpi në rrugën Al-Jala dhe shumë banorë mbetën të bllokuar nën rrënoja.
Sulmet shkatërruan një ndërtesë shtatëkatëshe pranë spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës, ku po qëndrojnë palestinezët e zhvendosur, duke rezultuar në vdekjen e dhjetëra njerëzve, shumë prej të bllokuar nën rrënoja.
Ekipet e mbrojtjes civile nxorrën trupat e pesë palestinezëve nga rrënojat e ndërtesës dhe kërkimi dhe shpëtimi i të bllokuarve nën rrënoja vazhdoi.
Të paktën pesë palestinezë u vranë dhe disa u plagosën në një sulm në një shtëpi në lagjen Tuffah të qytetit të Gazës.
Disa njerëz u vranë gjithashtu në lagjen Nasr kur ushtria bombardoi një shtëpi, sipas Zyrës për Media të Qeverisë së Gazës.
Ushtria sulmoi një shtëpi në kampin e refugjatëve Nusairat, duke vrarë të paktën 36 palestinezë.
Izraeli nisi sulmet në Rripin e Gazës pas 7 tetorit të vitit të kaluar dhe një sulmi ndërkufitar nga Hamasi. Deri më tani, mbi 31.490 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, ndërsa 73.439 janë plagosur.
Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid.
Sulmet, megjithatë, vazhdojnë të pandërprera dhe dërgimi i ndihmave mbetet i pamjaftueshëm për të trajtuar katastrofën humanitare.