Dy reperët nga Izraeli, në një këngë, e cila ka bërë xhiron e rrjetit ditëve të fundit, bëjnë thirrje për vdekjen e këngëtares së njohur me origjinë shqiptare Dua Lipa dhe modeles së njohur Bella Hadid, duke i bërë "përgjegjës për sulmet e Hamasit” që ndodhën më 7 tetor.
Reperët kërkojnë nëpërmjet një fraze që Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) të sulmojnë këngëtaren Dua Lipa dhe modelen Bella Hadid, për shkak se kanë mbështetur më parë kauzën palestineze ose kanë bërë thirrje për një armëpushim.
Artistët Ness dhe Stilla u shprehën se e regjistruan këtë këngë si një "himn lufte" për veprimet ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmeve të Hamasit të 7 tetorit.
Që kur u publikua më 14 nëntor të vitit të kaluar kjo këngë ka mbledhur mbi 18 milionë shikime në YouTube.
Kënga e titulluar si "Harbu Darbu", nënkupton "bie shi ferri mbi kundërshtarin", që në zhargonin hebraik rrjedh nga fjalët arabe për "sakatim" dhe "goditje lufte".
Kënga synohet të jetë një himn patriotik për të rritur moralin, sipas artistëve.
Kënga fillon duke përmendur liderët e Hamasit dhe Hezbollahut, ndërsa në një tjetër frazë të këngës thuhet: “Çdo qen merr atë që meriton në fund” duke thënë se tre personazhet e famshëm janë shkaktarët e luftës që po ndodh në atdheun e tyre.
Këngëtarët festojnë për sulmet ajrore izraelite në Gaza duke thënë: “Bëhuni gati, sepse këtu vjen forcat ajrore. Ju mund t'i ndjeni dridhjet deri në Tel Aviv”.
Repi shpejt u bë viral dhe u ngjit në krye të tabelës Mako të Izraelit, e cila ndjek shërbimin e transmetimit të vendit dhe shfaqjet radiofonike.
Gjithashtu, u shfaq shumë si muzikë në sfond në videot e TikTok ku të rinjtë izraelitë dhe ushtarë filmonin veten duke sinkronizuar buzët dhe duke kërcyer me këngën.
Kjo këngë ka pasur mjaft reagime nëpër rrjetet sociale duke e cilësuar si këngë gjenocidale.
Rikujtojmë se në një story të shpërndarë në Instagram, këngëtarja shqiptaro-britanike Dua Lipa shkroi: “Çdo ditë që kalon, zemra ime dhemb për popullin e Izraelit dhe Palestinës, duke shprehur kështu një lloj mbështetje për situatën në të cilën ndodhet Palestina.
Ndërkohë modelja Hadid e ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj për Palestinën si rrjedhojë e origjinës së saj palestineze.