Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se do të mbajë një qëndrim "të ashpër" për Gazën.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë në mesditë. Po të ishte në dorën time, do të merrja një qëndrim shumë të ashpër. Nuk mund t’ju them se çfarë do të bëjë Izraeli”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
Në fillim të kësaj jave, Trump propozoi anulimin e armëpushimit të Gazës midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, nëse të gjitha pengjet në Rripin e rrethuar nuk do të liroheshin deri të shtunën.
Donald Trump deklaroi të hënën se, sipas tij, nëse të gjithë pengjet nuk kthehen deri të shtunën në mesditë, atëherë marrëveshja duhet anuluar dhe "të gjitha bastet bien poshtë," duke paralajmëruar pasoja të rënda. "Unë do të thosha se ata duhet të kthehen deri të shtunën në orën 12:00... dhe pas kësaj, do të ndodhë kaosi," tha ai.
Marrëveshja për armëpushim në Gaza ka qenë në fuqi që nga 19 janari, duke pezulluar luftën izraelite, e cila ka vrarë mbi 48.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka lënë enklavën në rrënoja.
Hamas njoftoi se do të shtynte lirimin e grupit të gjashtë të pengjeve të shtunën për shkak të "shkeljeve" izraelite të marrëveshjes, por pas ndërmjetësimit nga Katari dhe Egjipti, marrëveshja pritet të zbatohet këtë fundjavë siç është rënë dakord.
Ndërkohë, Donald Trump ka propozuar marrjen nën kontroll të Gazës, zhvendosjen e palestinezëve në vendet fqinje dhe shndërrimin e enklavës në “Rivierën e Lindjes së Mesme.”
Ky propozim është pritur me dënime të gjera nga bota arabe dhe më gjerë.