Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të martën se planifikon t'i ofrojë Moskës një shkëmbim territorial nëse presidenti amerikan Donald Trump arrin të organizojë negociata me Rusinë.
Në një intervistë për gazetën The Guardian, Zelenskyy tha se vendi i tij mund të heqë dorë nga territori që ka kontrolluar në rajonin kufitar të Rusisë, Kursk, ku Kievi filloi një inkursion pak më shumë se gjashtë muaj më parë, në këmbim të territorit të kontrolluar nga Rusia në Ukrainë.
“Ne do të shkëmbejmë një territor me një tjetër”, citohet të ketë thënë Zelenskyy.
Megjithatë, ai nuk specifikoi se cilin territor të kontrolluar nga Rusia të Ukrainës do të kërkonin në këmbim, duke shtuar: "Të gjitha territoret tona janë të rëndësishme, nuk ka përparësi".
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova pohoi në Telegram se komentet e Zelenskyyt synojnë "ta fshehin shkallën e vërtetë të katastrofës" për ushtrinë e Ukrainës në Kursk.
Inkursioni i Kievit në rajonin e Kurskut filloi natën e 5-6 gushtit 2024, kur forcat ukrainase hynë pranë qytetit Sudzha, afërsisht 10 kilometra nga kufiri.
Presidenti rus Vlladimir Putin e dënoi inkursionin si një "provokim në shkallë të gjerë" dhe një akt "të shtëna pa dallim", duke e karakterizuar atë si një "sulm terrorist".
Në përgjigje, Zelenskyy konfirmoi se inkursioni synonte të krijonte një "zonë tampon" për tu mbrojtur kundër sulmeve ndërkufitare nga Rusia.
Mbështetje për Ukrainën
Zelenskyy komentoi gjithashtu mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën, duke argumentuar se Evropa nuk do të ishte në gjendje të mbushte boshllëkun nëse Trump tërhiqte mbështetjen e ShBA-së për Kievin.
“Ka zëra që thonë se Evropa mund të ofrojë garanci sigurie pa amerikanët, dhe unë gjithmonë them jo. Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci reale të sigurisë”, tha ai.
Presidenti ukrainas përsëriti se ishte i gatshëm të negocionte me Rusinë nga një "pozitë e fortë", duke shtuar se ai do të ofronte kontrata rindërtimi fitimprurës dhe koncesione investimesh për kompanitë amerikane në mënyrë që të merrte mbështetjen e Trump.
Zelenskyy theksoi rëndësinë e vazhdimit të ndihmës ushtarake të ShBA-së për Ukrainën, duke thënë se vetëm sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot të prodhuara nga ShBA-ja mund ta mbrojnë vendin kundër "të gjitha llojeve të raketave".
Ai gjithashtu pranoi ndikimin e ngrirjes së fundit në programet e ndihmës amerikane, por theksoi se mbajtja e mbështetjes ushtarake mbetet prioriteti i Kievit.
Duke komentuar propozimin e fundit të Trump që Ukraina duhet t'i sigurojë ShBA-së mineralet e saj të rralla në këmbim të mbështetjes së vazhdueshme për Kievin, Zelenskyy tha se ai ia paraqiti idenë atij gjatë bisedimeve në Nju Jork në shtator 2024.