Të paktën 67 milionë fëmijë humbën plotësisht ose pjesërisht vaksinat midis 2019 dhe 2021 për shkak të bllokimeve dhe funksionimit me ndërprerje të kujdesit shëndetësor të shkaktuar nga pandemia COVID-19, thuhet në raportin e UNICEF-it.
Prej tyre, 48 milionë humbën plotësisht vaksinat, zbuloi raporti i agjencisë së OKB-së për fëmijë, i titulluar "Gjendja e fëmijëve në botë 2023: Për çdo fëmijë, vaksinimi".
"Vaksinat shpëtojnë jetë, por shumë fëmijë në botë nuk po vaksinohen. Pandemia e COVID-19 vetëm se shtoi numrin e tyre", thuhet në raport.
Raporti, ndër të tjerash, thekson se "në tri vitet e fundit, përfitimet e arritura me shumë vështirësi në më shumë se një dekadë në imunizimin rutinë të fëmijëve janë rrënuar", duke shtuar se rikthimi në rrugën e duhur do të jetë sfidues.
"Në përqindje, shkalla e fëmijëve të vaksinuar ra me 5 pikë përqindjeje në 81 për qind. Me fjalë të tjera, rreth një në pesë fëmijë në mbarë botën nuk ishte plotësisht i mbrojtur kundër sëmundjeve të parandalueshme me vaksina", shton më tej raporti.
"Shqetësuese është se regresi gjatë pandemisë erdhi në fund të një dekade kur, në përgjithësi, rritja e imunizimit të fëmijëve kishte ngecur", thuhet në raport.
Sipas të dhënave, besimi në vaksinat e fëmijëve shënoi rënie me 44 për qind në disa vende gjatë pandemisë.
Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it Catherine Russell tha se të dhënat janë një sinjal dhe një paralajmërim shqetësues.
"Ne nuk mund të lejojmë që besimi në imunizimet rutinë të bëhet një tjetër viktimë e pandemisë. Përndryshe, vala e ardhshme e vdekjeve mund të jetë më e madhe te fëmijët me fruth, difteri ose sëmundje të tjera të parandalueshme", tha ajo.