Një zyrtar nga Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) e cilësoi si “tragjike dhe të papranueshme” ngrirjen deri në vdekje të shtatë të porsalindurve dhe foshnjave në Rripin e Gazës në fund të dhjetorit.
“Është tragjike dhe e papranueshme që nga 23 dhjetori shtatë të porsalindur dhe foshnja raportohet se kanë vdekur nga të ftohtët dhe mungesa e strehimit të përshtatshëm në Gaza. Këto vdekje të parandalueshme nxjerrin në pah kushtet e dëshpëruara dhe të përkeqësuara me të cilat përballen familjet dhe fëmijët në gjithë Rripin për më shumë se 14 muaj”, tha për Anadolu Ricardo Pires, menaxher i komunikimit i UNICEF-it, duke theksuar përkeqësimin e kushteve humanitare në rajon.
Pires paralajmëroi për viktima të tjera pasi temperaturat vazhdojnë të bien.
“Me temperaturat që pritet të ulen më tej, fatkeqësisht është e parashikueshme që më shumë jetë fëmijësh të humbasin për shkak të kushteve çnjerëzore që po durojnë, pa mbrojtje nga të ftohtët”, tha ai.
Përtej rreziqeve të afërta të motit të ftohtë, Pires vuri në dukje se familjet në Gaza përballen me një krizë më të gjerë humanitare, duke përfshirë strehimin, ushqimin dhe kujdesin shëndetësor të pamjaftueshëm.
“Lëndimet nga të ftohtët, të tilla si ngrirja dhe hipotermia, paraqesin rreziqe të mëdha për fëmijët e vegjël në tenda dhe strehimore të tjera të improvizuara që nuk janë të pajisura mirë për mot të ftohtë. Për të sapolindurit, foshnjat dhe fëmijët e cenueshëm nga ana mjekësore, rreziku është edhe më akut”, deklaroi Pires.
Ai theksoi përkushtimin e UNICEF-it për të “vazhduar të punojë pa u lodhur, duke shpërndarë veshje dimërore, batanije dhe furnizime emergjente për fëmijët”, pavarësisht sfidave.
“Por, aftësia e agjencive humanitare për të ofruar ndihma jetëshpëtuese në shkallën e kërkuar mbetet shumë e kufizuar”, shtoi ai.
Ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Gaza që ka vrarë mbi 45.500 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Tel Avivi ka vendosur një bllokadë gjymtuese në Gaza, duke e lënë popullsinë 2,3-milionëshe të territorit në prag të urisë.
Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.