Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinë (UNRWA) njoftoi të premten se planifikon të fillojë një fushatë vaksinimi ndaj poliomielitit në Rripin e Gazës deri në fund të gushtit.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini ka shprehur shqetësim të madh për konfirmimin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për një rast të poliomielitit në Gaza.
Rasti ka të bëjë me një foshnjë dhjetë muajshe e cila mbeti e paralizuar, që është rasti i parë i poliomielitit në Gaza në më shumë se 25 vjet, tha Lazzarini.
Zyrtari theksoi se "poliomieliti nuk do të bëjë dallimin mes fëmijëve palestinezë dhe izraelitë", duke vënë në dukje se "vonesa e pauzës humanitare do të rrisë rrezikun e përhapjes midis fëmijëve".
Ai beson se nuk mjafton sjellja e vaksinave në Gaza, por që ato të jenë efektive, duhet të vaksinohet çdo fëmijë nën moshën dhjetë vjeç.
"Ekipet mjekësore të UNRWA-s do të dorëzojnë vaksina në klinikat tona dhe përmes ekipeve tona të lëvizshme shëndetësore”,tha Lazzarini, duke vënë në dukje se që nga fillimi i luftës dhe falë këtyre përpjekjeve, 80 për qind e fëmijëve në të gjithë Gazën kanë marrë vaksina kundër sëmundjeve të ndryshme të fëmijërisë.
Poliomieliti, një virus ngjitës që mund të shkaktojë paralizë të pakthyeshme brenda disa orësh, përbën një kërcënim të veçantë për fëmijët në Gaza.
Ringjallja e poliomielitit vjen si pasojë e shkatërrimit të infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve.
Izraeli vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që përbën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Sulmet, rezultotojnë me mbi 40.200 palestinezë të vdekur, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 93.000 të plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Bllokada e Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke e lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli po përballet me akuza për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila urdhëroi ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se një milion palestinezë kërkuan strehim përpara se zona të sulmohej më 6 maj.