UNRWA-ja: Më shumë se 200 mijë njerëz u zhvendosën në jug të Libanit / Photo: AA

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) tha se rreth 200 mijë njerëz u zhvendosën në jug të Libanit, ku ushtria izraelite shtoi sulmet e saj.

Në deklaratën me shkrim të UNRWA-së thuhet se agjencia filloi ndërhyrje emergjente pasi palestinezët në rajon kërkuan strehim të sigurt pas rritjes së tensioneve në konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollahut që ka vazhduar që nga 8 tetori 2023.

Raportohet se UNRWA-ja ka hapur 3 qendra strehimi në qytetin e Sidonit për t'u shërbyer të zhvendosurve.

Shumë njerëz janë zhvendosur në jug të Libanit ndërsa vala e migrimit ka shkaktuar mungesën e nevojave elementare si bukë dhe ujë të pijshëm në qytetin e Sidonit.

Duke cituar të dhëna nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) në deklaratë thuhet se rreth 200 mijë njerëz u zhvendosën në jug të Libanit nga tetori 2023 deri më 24 shtator.

Në sulmet e Izraelit në Liban humbën jetën 748 persona

Ushtria izraelite, e cila ka vazhduar përleshjet e kontrolluara me Hezbollahun që nga 8 tetori, kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Bekaa dhe Baalbek më 23 shtator.

Sipas autoriteteve libaneze, 748 persona humbën jetën në sulmet ajrore të intensifikuara, ndërsa rreth 150 mijë njerëz u zhvendosën brenda vendit për shkak të bombardimeve.

Hezbollahu, nga ana tjetër, përgjigjet me sulme raketore kundër bombardimeve intensive të vazhdueshme nga ushtria izraelite kundër rajoneve jugore dhe lindore të vendit.

Nuk është raportuar për dëme të mëdha në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite.

Ndërkohë që vazhdon vala e migrimit nga pjesët jugore të Libanit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, thuhet se ka edhe persona që migrojnë drejt Sirisë.

TRT Balkan / agjencitë