UNRWA-ja: Të paktën 176 punonjës janë vrarë nga fillimi i luftës në Gaza.    /Foto: AA

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinë (UNRWA) njoftoi se të paktën 176 punëtorë të saj janë vrarë që nga fillimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.

“Punonjësit humanitarë nuk janë objektiva dhe duhet të mbrohen në çdo kohë. Izraeli vazhdon t'i mohojë UNRWA-së qasjen për të ofruar ndihma në veri të Rripit të Gazës", tha udhëheqja e UNRWA-së në rrjetin social X.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric tha dje se të paktën 196 punonjës të ndihmave janë vrarë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.

Dujarric e përshkroi territorin palestinez si "një nga vendet më të rrezikshme në botë për të punuar" për punonjësit humanitar.

UNRWA-ja është organizata më e madhe humanitare në Gaza dhe konsiderohet si shtylla kurrizore e operacioneve të ndihmës humanitare në Gaza.

Pas akuzave izraelite se disa nga anëtarët e agjencisë së OKB-së ishin të përfshirë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit, të paktën 17 vende, duke përfshirë ShBA-në, Britaninë e Madhe, Australinë dhe shumë vende të Bashkimit Evropian, kanë pezulluar mbështetjen për UNRWA-në.

Megjithatë, disa vende, duke përfshirë Francën, Suedinë, Kanadanë dhe Japoninë, njoftuan mbështetjen e vazhdueshme për UNRWA-në muajin e kaluar.

TRT Balkan / agjencitë