Ushtari izraelit arratiset nga Brazili për hetimin e krimeve në Gaza           / Foto: AA

Një ushtar izraelit, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës në Gaza, është arratisur nga Brazili, ku autoritetet ishin nën presion për të zhvilluar një hetim, raportuan të dielën mediat lokale.

“Hetimi buron nga një ankesë e paraqitur nga Fondacioni Hind Rajab (HRF), një organizatë belge që promovon drejtësinë për viktimat palestineze,” raportoi transmetuesi publik izraelit KAN.

Kanal 12 raportoi se akuza përfshin mbi 500 faqe prova, duke përfshirë video, të dhëna gjeolokacioni dhe informacione inteligjente, të cilat lidhin ushtarin me shkatërrimet në Rripin e Gazës.

HRF ka kërkuar arrestimin urgjent të ushtarit për të parandaluar arratisjen e tij ose shkatërrimin e provave.

Megjithë urdhrin gjyqësor, rezervisti, sipas KAN, arriti të largohej nga Brazili dhe thuhet se është në rrugë për t’u kthyer në Izrael.

Detajet se si ka shmangur arrestimin në Brazil nuk janë bërë të ditura.

Arratisja pason një seri incidentesh të ngjashme që përfshijnë ushtarë izraelitë jashtë vendit. Kanal 12 raportoi se muajin e kaluar, një grup palestinez në Sri Lankë bëri thirrje për arrestimin e një ushtari aktiv izraelit, gjë që çoi në evakuimin e tij urgjent nga autoritetet izraelite.

Autoritetet palestineze raportuan se që nga fillimi i luftës gjenocidale izraelite në tetor 2023 në Rripin e Gazës, janë vrarë mbi 45,700 persona dhe janë plagosur mbi 108,800 të tjerë.

Izraeli po përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në Rripin e Gazës.

TRT Balkan / agjencitë