Ushtria izraelite i bëri thirrje popullatës palestineze të lëvizë nga veriu i Rripit të Gazës në jug të rajonit të bllokuar.
Në një komunikatë, ushtria izraelite pretendon se anëtarët e krahut ushtarak të Hamasit fshihen në tunele dhe nën shtëpi, si dhe në ndërtesa ku jetojnë civilë në Gaza.
“Qyteti i Gazës është një zonë ku kryhen operacione ushtarake. Ushtria izraelite ka urdhëruar që të gjithë civilët në qytetin e Gazës të evakuohen nga shtëpitë e tyre në jug për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre. Ky evakuim është për sigurinë tuaj”, thuhet në komunikatë.
Deklarata paralajmëroi palestinezët në Gaza që të qëndrojnë larg gardheve kufitare dhe tha se ushtria izraelite po vazhdonte operacionet në Gaza.
Gjithsej 2,3 milionë palestinezë jetojnë në Gaza, e cila është bllokuar nga Izraeli që nga viti 2007 dhe ka një sipërfaqe të ngushtë prej rreth 360 kilometra katrorë.