Vazhdojnë sulmet izraelite në Gaza, 43.163 palestinezë të vrarë /           Foto: AA

102 palestinezë të tjerë u vranë në sulmet e pamëshirshme izraelite në Rripin e Gazës në dy ditët e fundit, duke e çuar numrin total të të vdekurve që nga tetori i vitit të kaluar në 43.163, njoftoi të mërkurën Ministria e Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Të paktën 101.510 persona thuhet se janë plagosur në sulmet 390-ditore të Izraelit në Rripin e Gazës.

Në deklaratë thuhet se ushtria izraelite kreu pesë masakra në rajone të ndryshme në 48 orët e fundit, të cilat rezultuan në vrasjen e 102 personave dhe plagosjen e 287 personave.

Shtohet se shumë prej tyre janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë, pasi ekipet e shpëtimit nuk mund t'i arrijnë.

Në shkelje të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar një ofensivë shkatërruese në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, pas një sulmi nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.

Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

AA