Prioriteti i menjëhershëm i Komisionit Evropian (KE) është të dërgojë sa më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës, tha të premten presidentja Ursula von der Leyen.
Duke folur në një konferencë për shtyp në fund të samitit të Këshillit Evropian në Bruksel, Ursula von der Leyen tha se Evropa kishte organizuar 28 fluturime humanitare, duke shpërndarë rreth 1.200 tonë ndihma.
Ajo shtoi se Evropa po planifikon "pesë fluturime të tjera deri në fund të vitit".
Von der Leyen u ndal gjithashtu në nevojën për të punuar për pasojat e konfliktit.
“Nuk mund të ketë paqe nëse nuk ka perspektivë të një zgjidhjeje politike, si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët, dhe kjo është një zgjidhje me dy shtete”, theksoi Von der Leyen.
Megjithatë, ajo tha se Gaza nuk mund të jetë një strehë e sigurt për Hamasin.
“Hamasi nuk mund të jetë në strukturën qeverisëse të shtetit palestinez”, tha Von der Leyen.
Ajo propozoi një "Autoritet Palestinez të reformuar" që duhet të qeverisë si Bregun Perëndimor, ashtu edhe Rripin e Gazës.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje të sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Të paktën 18.608 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 50.100 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që atëherë.