Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy u përcolli liderëve të Bashkimit Evropian mesazhin se mbështetja e mbrojtjes ajrore për Izraelin është urgjencë për vendin e tij.
Përmes video-konferencës, Zelenskyy u lidh në pjesën për Ukrainën të Samitit të BE-së që u mbajt në Bruksel. Duke rikujtuar se 14 persona humbën jetën në sulmin me raketa që Rusia kreu dje ndaj qytetit Chernihiv, Zelenskyy tha:
"Fatkeqësisht në Ukrainë nuk kemi nivelin e mbrojtjes ajrore që pamë në Lindjen e Mesme pak ditë më parë. Falë fuqisë që përbashkët të aleatëve, ata arritën të rrëzojnë pothuajse të gjitha raketat dhe mjetet ajrore pa pilot të drejtuara ndaj Izraelit. Ashtu si në qiejt e Izraelit dhe vendeve të tjera të rajonit, duhet ta mbrojmë Evropën nga raketat balistike, nga dronët 'Shahed', raketat lundruese dhe bombat. Qielli ynë dhe i fqinjëve tanë e meriton të njëjtën siguri".
Krahas ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, edhe Franca si anëtare e BE-së dha mbështetje në parandalimin e sulmeve ajrore të Iranit ndaj Izraelit më 13 prill.
Liderët nënvizuan urgjencën
Pas temës për Ukrainën që u diskutua në seancën e marrëdhënieve me jashtë të Samitit të BE-së, u miratua deklarata përfundimtare e pjesës përkatëse.
"BE-ja dënon në mënyrë të fuqishme sulmet ajrore dhe raketore të Rusisë ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile të Ukrainës, përfshirë edhe ato kundër sektorit të energjisë kohët e fundit", thuhet në deklaratë.
"BE-ja dhe vendet anëtare do të vazhdojnë të dërgojnë pajisje të tilla si gjeneratorë dhe transformatorë të energjisë dhe produkte të ndihmës për mbrojtjen humanitare dhe civile. BE-ja nënvizon nevojën e përshpejtimit dhe intensifikimit për sigurimin e të gjithë ndihmës së nevojshme ushtarake, përfshirë sigurimin urgjent të mbrojtjes ajrore, municioneve dhe raketave për Ukrainën", thuhet në deklaratë.