Zv/kryeministrja belge, Petra de Sutter, tha se sanksionet e BE-së kundër Izraelit "nuk mund të presin më", duke miratuar një propozim nga kreu i politikës së jashtme të BE-së për pezullimin e dialogut politik me Tel Avivin për shkak të luftës në Gaza.
"Sanksionet e BE-së kundër Izraelit nuk mund të presin më. Ne nuk mund të vazhdojmë të shikojmë katastrofën që shpaloset në Gaza", u shpreh Petra de Sutter në X, duke shtuar:
"Unë personalisht mbështes thirrjen e Josep Borrellit për të pezulluar dialogun politik dhe për të vendosur një ndalim në mbarë BE-në për importin e produkteve nga vendbanimet ilegale".
Komentet e saj erdhën pasi Borrell propozoi të pezullojë zyrtarisht dialogun politik me Izraelin për mosrespektimin e ligjit ndërkombëtar në Rripin e Gazës.
“Pas një viti thirrjesh të padëgjuara nga autoritetet izraelite në lidhje me respektimin e ligjit ndërkombëtar në luftën e Gazës, ne nuk mund të vazhdojmë me gjërat si zakonisht”, tha Josep Borrell në një postim në blog.
"Kjo është arsyeja pse unë u kam propozuar vendeve anëtare të BE-së t'i ndalojnë importet nga vendbanimet ilegale dhe të pezullojnë dialogun politik me Izraelin. Ne do t'i diskutojmë këto masa në Këshillin e Punëve të Jashtme javën e ardhshme", shtoi ai.
Dialogu politik është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë mbi marrëdhëniet midis BE-së dhe Izraelit, duke përfshirë marrëdhëniet më të ngushta ekonomike, që hyri në fuqi në qershor 2000. Për pezullim, nevojitet miratim nga 27 vendet e BE-së.
Borrell, mandati pesëvjeçar i të cilit përfundon më 1 dhjetor, tha se njerëzve në Gaza "po u mbaron gjithçka" dhe në shumë pjesë të enklavës "nuk ka pothuajse asgjë që mund të mbështesë jetën e organizuar njerëzore".
Izraeli ka vrarë më shumë se 43.700 njerëz në Gaza që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023. Veprimet kanë shkaktuar një katastrofë humanitare, ndërsa Izraeli përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.