Zyrtarët palestinezë: Protestat pro Palestinës në ShBA e BE, një revolucion / Photo: AA

Kryetari i Bashkisë së Ramallahut, Issa Kassis dhe ai i Al-Halilit, Teysir Ebu Sinine, i përshkruajnë si "revolucion" protestat e mbajtura në universitetet e ShBA-së dhe Evropë kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

Kassis dhe Sinine ishin pjesëmarrës të Konferencës së 15-të të Përgjithshme të Organizatës së Qyteteve dhe Kryeqyteteve Islame (OICC). Kryetarët folën për Anadolu mbi zhvillimet rreth sulmeve të Izraelit ndaj vendit të tyre.

Kassis e cilësoi si "gjenocid" atë që ndodh në Gaza, duke shtuar se plani izraelit për sulm ndaj Rafahut është bërë me këtë qëllim.

Ai tha se Izraeli synon ta heqë këtë çështje nga agjenda botërore pa lënë asnjë njeri në Rafah. "Bëhet fjalë për një qytet shumë të vogël si Gaza që është rreth 16 vjet nën pushtim. Në të njëjtën kohë 1,5 milion njerëz janë të bllokuar atje. Do të ishte e çuditshme që Izraeli të priste diçka më pak se reagimet që janë shfaqur për këtë çështje. Ne dëshirojmë armëpushim, paqe dhe një Palestinë të pavarur me kryeqytet Kudsin", tha Kassis.

Aktorët më të rëndësishëm të shoqërisë

Ajo që ndodh në Palestinë, sipas Kassis, nuk është njerëzore, prandaj kanë nevojë për përfundimin e rrethimit e jo ndihmave humanitare.

Ai theksoi se janë krenarë që bota ka filluar t'i dëgjojë dhe t'i kuptojë. "Të rinjtë, aktorët më të rëndësishëm të shoqërisë, na kuptojnë, sepse ata janë përfaqësues të së ardhmes dhe janë ambasadorët tanë më të rëndësishëm. Ishte rinia që dikur shtyri ShBA-në të ndalonte pushtimin e Vietnamit në vitin 1960. Tani përsëri, të rinjtë po udhëheqin në këtë kuptim. Bota duhet ta dëgjojë këtë dhe të ketë turp nga vetja", u shpreh Kassis.

Kassis tërhoqi vëmendjen se ekziston një klimë shumë e rëndësishme bashkëpunimi dhe solidariteti midis Türkiyes dhe Palestinës, si në nivel presidenti ashtu edhe në Këshillin e Ministrave dhe në nivel bashkie.

Rezistenca nuk do të tërhiqet

Sinine thotë se persekutimi po vazhdon me vite. Ai tha se palestinezët përjetojnë të gjithë negativitetet e luftës dhe pushtimit.

"Rafahu është vetëm një hallkë e këtyre persekutimeve dhe masakrave. Rafahu ka një dimension politik. Sionistët duke e bërë Rafahun mjet politik, dëshirojnë që rezistenca të tërhiqet, por populli ynë nuk do të mposhtet kurrë, rezistenca nuk do të tërhiqet", tha ai. Sinine shtoi se popullsia e Rafahut ka arritur në 1,5 milion, pasi palestinezët janë zhvendosur nga Gaza për shkak të sulmeve. Ai theksoi se Izraeli dëshiron të bëjë një gjenocid të madh, duke shtuar:

"Popullsia e madhe tregon se masakra do të jetë e madhe. Izraeli dëshiron ta kthejë këtë çështje politike në avantazhin e tij. Protestat në mbështetje të Palestinës në Perëndim dhe në ShBA janë një revolucion i vërtetë kundër Perëndimit dhe ShBA-së. ShBA-ja është partneri dhe mbështetësi publik i krimeve që Izraeli i kryen. Këto protesta janë një rebelim kundër shoqërive perëndimore që janë po aq fajtorë sa Izraeli dhe është mirë që po mbahen këto protesta".

Më tej Sinine tha se "Shoqëritë dhe njerëzit e lirë të botës qëndrojnë në krah të Palestinës, dëshirojnë që Izraeli t'i ndalojë sulmet. Por, shtetet dhe qeveritë e mëdha, veçanërisht Izraeli, ShBA-ja dhe Britania e Madhe, nuk duan që kjo luftë të përfundojë".

TRT Balkan / agjencitë