Marrëveshja Itali-Shqipëri, anija me 49 emigrantë ankorohet në Shëngjin             Foto: Reuters

Anija e Marinës Ushtarake italiane "Cassiopea" me 49 emigrantë në bord mbërriti në Shqipëri mëngjesin e ditës së sotme, nën shoqërimin e përfaqësuesve të autoriteteve italiane.

Anija u ankorua në orën 07:30 të mëngjesit, raporton Agjencia Italiane e lajmeve ANSA. Fillimisht emigrantët do t’u nënshtrohen procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse.

Sipas ANSA-s, emigrantët janë shtetas nga Bangladeshi (në shumicë), Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia, të cilët do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara të kufirit të parashikuara për ata që vijnë nga vende të sigurta dhe nuk kanë dorëzuar dokumente identiteti.

Pas këtyre proceduarave do të transferohen drejt Gjadrit të Qarkut të Lezhës, në pritje të përpunimit të kërkesave të tyre për azil. Kjo është pjesë e marrëveshjejes midis Italisë dhe Shqipërisë për të lehtësuar fluksin e migrantëve drejt Italisë.

Riaktivizimi i marrëveshjes Itali-Shqipëri vjen pas një pauze prej rreth dy muajsh. Ky është operacioni i tretë për të strehuar e emigrantë në Gjadër. Në dy rastet e para emigrantët u kthyen në Itali për shkak të një vendimi të Gjykatës në Romë.

Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.

Protokolli, në bazë të të cilit qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm u ngritën në Shqipëri, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.

Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.

TRT Balkan / agjencitë