Spiropali pret delegacionin nga Parlamenti turk         Foto: AA

Anëtarët e Komisionit për Harmonizimin me Bashkimin Evropian në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), kanë zhvilluar një vizitë në Shqipëri, duke u takuar me kryeparlamentaren Elisa Spiropali, ndërkohë në nisje të takimit delegacioni u përshëndet edhe nga Kryeministri Edi Rama.

Sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, Spiropali priti sot në Kryesinë e Kuvendit anëtarët e komisionit parlamentar turk të kryesuar nga Burhan Kayatürk.

Pjesë e takimit ishin edhe ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, si dhe disa deputetë anëtarë e grupit të miqësisë me Türkiyen në Kuvendin e Shqipërisë.

Në nisje të takimit me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, delegacioni turk është përshëndetur nga kryeministri Rama.

"Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Türkiyes, në të gjitha aspektet e nivelet, si dhe shprehu vullnetin e Kuvendit për vijimin e bashkëpunimit të suksesshëm parlamentar me Asamblenë e Madhe Kombëtare, mes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe në nivele të larta", thuhet në njoftim.

Gjithashtu, theksohet se gjatë takimit u diskutua edhe "mbi progresin e shpejtë të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si objektiv strategjik kombëtar i Shqipërisë, dhe mbështetjen e integrimeve euro-atlantike të Kosovës".

Delegacioni i Parlamentit turk është takuar edhe më përfaqësues të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë.

TRT Balkan / agjencitë