Shqipëri-Itali, marrëveshje për përmirësimin e rrjetit energjetik shqiptar / Foto: ATA

Në Tiranë u nënshkrua sot marrëveshja e huasë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane prej 35 milionë eurosh për investime për përmirësimin e rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike në zonat Shkodër, Lezhë, Fushë-Krujë.

Marrëveshja u nënshkrua nga zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, dhe zv/ministri i Jashtëm italian, Edmondo Cirielli.

Zv/kryeministrja Balluku deklaroi se marrëveshja e nënshkruar sot kontribuon me investime në një nga sektorët më të rëndësishëm dhe më kritikë edhe nën dritën e situatës që preku jo vetëm vendin tonë, por mbarë Evropën në vitin 2022 për shkak të krizës energjetike.

Kjo marrëveshje, vuri në dukje zv/kryeministrja Balluku, vjen në kuadër të Konferencës së Donatorëve “Bashkë për Shqipërinë“, që bëri bashkë në 2020-shin, partner për të mbështetur Shqipërinë nga tërmeti i nëntorit 2019.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, theksoi ajo, shteti shqiptar do të marrë një hua prej 35 milionë euro dhe nëpërmjet kësaj huaje do të zhvillohet një projekt, i cili konsiston në përmirësimin e sistemit të shpërndarjes, konkretisht në zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Fushë-Krujës, me fokus kryesor përmirësimin e nënstacioneve ekzistuese, sistemin Scada dhe rrjetin e tensionit të mesëm, duke u ofruar kështu mundësi agjencive shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, por edhe atyre private që të ofrojnë një shërbim cilësor në furnizimin e energjisë elektrike.

“Duhet të theksoj se përmirësimi dhe modernizimi i sistemit energjetik shqiptar ka qenë objektiv strategjik dhe parësor i qeverisë shqiptare, duke nisur nga viti 2013. Vëmendje të veçantë i është kushtuar sistemit të shpërndarjes, i cili është ai që ndikon direkt në jetën e qytetarëve. Pa dyshim që prodhimi dhe transmetimi janë dy kolona shumë të rëndësishme dhe kryesore të sistemit energjetik, por ama përdoruesi, familjari, abonenti ose edhe bizneset janë të lidhura direkt në rrjetin e shpërndarjes dhe është ajo çka ata kuptojnë konkretisht dhe janë të prekur”, tha Balluku.

Sipas Ballukut, pavarësisht se dy vitet e fundit ishin të vështira, u arrit që krahas mbajtjes së pandryshuar të çmimit të energjisë për abonentët të investoheshin edhe 50 milionë euro në sistem.

ATA