Shqipëri, 520 mijë shtetas nga diaspora përfitojnë të drejtën e votës / Photo: ATA

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, paraqiti sot në seancën plenare të Kuvendit aktet normative të Këshillit të Ministrave që synojnë shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit deri në fund të muajit maj.

Hoxha tha se qëllimi është që diaspora të votojë dhe ta ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e majit 2025.

“Nuk mund të lejojmë që vështirësitë e rinovimit të dokumenteve të bëhen pengesë për pjesëmarrjen në zgjedhje. Diaspora ka dhënë dhe jep një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin. Detyra jonë është të bëjmë çfarë është e nevojshme për ta garantuar përfshirjen e tyre për çdo vendimmarrje që lidhet me vendin tonë”, tha Hoxha.

Hoxha shtoi se miratimi mundëson një pjesëmarrës shumë të gjerë të votuesve nga jashtë vendit që të regjistrohen në Platformën Elektronike të Regjistrimit.

Hoxha tha se numri i shqiptarëve të cilët përfitojnë nga miratimi i akteve është 520 mijë.

“Identitek po vijon turin e aplikimeve në skuadrat e lëvizshme në qytetet e mëdha jashtë vendit ku jetojnë shumë shqiptarë. Numri i shtetasve shqiptarë me të drejtë vote të cilëve u ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimi ose mund t’u skadojë gjatë kësaj periudhe është 520 mijë shtetas”, tha Hoxha.

“Kemi detyrim t’u ofrojmë ndihmë dhe të mbrojmë të drejtat e shtetasve tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të vet”, tha Hoxha.

“Këshilli i Ministrave propozon që afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit të kartave të identitetit dhe pasaportave që përfundon me datë 11 maj të zgjatet deri më datën 31 maj 2025 për shtetasit me banim jashtë vendit”, tha Hoxha.

Hoxha ftoi deputetët t'i miratojnë këto akte “me rëndësi për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit tonë, për ta përmbushur vendimin historik që diaspora për herë të parë të ketë mundësi të votojë jashtë vendit”.

TRT Balkan / agjencitë