Me autokolona makinash në rrugë, qytetarë të shumtë të Sarajevës sonte kanë festuar lajmin e arritjes së marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
Një grumbullim spontan i një grupi qytetarësh rezultoi në një varg të gjatë automjetesh që u formuan nëpër qendrën e Sarajevës.
Të mbledhurit u binin borive të makinave, valëvitën flamujt palestinezë dhe bërtisnin në mbështetje të popullit palestinez.
Më herët, kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman, njoftoi arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës, duke theksuar se zbatimi i saj do të fillojë këtë të dielë.
Armëpushimi vjen në ditën 467-të të fushatës gjenocidale të Izraelit kundër Gazës, e cila ka vrarë mbi 46.700 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga një sulm ndërkufitar i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023. Rreth 1.200 njerëz u vranë në atë sulm, dhe rreth 250 të tjerë u morën në Gaza si pengje.