Bosnjë e Hercegovina mund të llogarisë te Hungaria, te qeveria hungareze, në interes të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të BeH-së në Bashkimin Evropian (BE), tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të BeH-së, Elmedin Konakoviq në Sarajevë.
Ministri hungarez tha se situata e sotme, pra sfidat e shkaktuara nga konflikti i luftës në Ukrainë, me të cilin po përballet i gjithë kontinenti evropian dhe brenda tij edhe Evropa Qendrore, tregon se çfarë gabimi kishte bërë BE-ja që nuk përshpejtoi zgjerimin në Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit.
Ai theksoi se nëse zona e Ballkanit Perëndimor do të ishte anëtarësuar në BE, ata do të ishin në gjendje të përballeshin me vështirësitë në mënyrë shumë më efektive.
"BE-ja do të ishte më e fortë dhe ne mund të luftonim migracionin e paligjshëm në mënyrë më efektive", tha Szijjarto.
Sipas tij, Hungaria ndaloi rreth 265 mijë emigrantë të paligjshëm në kufijtë e saj jugorë vitin e kaluar.
"Hungaria dëshiron të përshpejtojë procesin e zgjerimit të BE-së, por ju gjithashtu e dini shumë mirë se ka shtete anëtare në BE që vetëm verbalisht e mbështesin zgjerimin e BE-së dhe kur bëhet fjalë për vendime, ata janë shumë të përmbajtur. Prandaj ne bëjmë thirrje shteteve anëtare t'i japin fund pengimit të procesit të zgjerimit të BE-së, sepse kjo do të thotë një rrezik sigurie si për BE-në ashtu edhe për Hungarinë", tha ai.
Ai shtoi se për ta është i rëndësishëm edhe stabiliteti i BeH-së dhe se presin që Brukseli të ndërmarrë hapa në fushën e procesit të anëtarësimit të BeH-së.
"Ju vetë e shihni se Brukseli ndonjëherë anon kah sanksionet për shkak të thjeshtësisë, por nëse shikojmë se sa të suksesshme kanë qenë sanksionet në dekadat e fundit, mendoj se mund të konkludojmë se ato nuk dhanë rezultate të rëndësishme. Situata është e njëjtë. Tani me sanksionet e Brukselit ne absolutisht nuk jemi dakord që BE-ja të vendosë ndonjë sanksion ndaj Ballkanit Perëndimor", tha ai.
Ai shtoi se ata që besojnë se me sanksione mund të zgjidhin çfarëdo problemi nuk e dinë se si është situata këtu dhe po përpiqen të mbulojnë injorancën e tyre.
"Mbështesim dialogun në interes të përbashkët", shtoi ai.
Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik ndërmjet BeH-së dhe Hungarisë është zhvilluar dhe vëllimi i tregtisë vitin e kaluar ishte mbi 600 milionë euro, që është rritje prej 20 për qind.