Të fundit në Evropë: Së shpejti BeH-ja do të mbulohet me sinjal dixhital / Photo: AA

Të mërkurën në Sarajevë u nënshkrua kontrata për blerjen e pajisjeve për transmetimin digjital dhe transmetimin e shërbimeve publike të RTV-së në Bosnjë e Hercegovinë, në bazë të së cilës duhet të vendoset digjitalizimi i sinjalit televiziv në gjithë vendin në më pak kohë se 18 muaj.

Kontrata është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Komunkimeve dhe të Transportit të BeH-së dhe Konsorciumit të përbërë nga kompania Sirius 2010 Banja Luka, si mbajtëse e Konsorciumit, dhe Odasiljaçi i Veze Zagreb, si anëtare e Konsorciumit.

Ministri boshnjak Edin Forto nënshkroi kontratën në emër të Ministrisë dhe Momçillo Gjukiç, drejtor i Sirius 2010 Banja Luka, në emër të Konsorciumit.

Digjitalizimi i sinjalit televiziv, i rënë dakord në kuadër të Marrëveshjes së Gjenevës të vitit 2006, nënshkruese e së cilës është edhe BeH-ja, nënkuptonte mbylljen e sinjalit televiziv analog nga mesi i vitit 2015, gjë që nuk ka ndodhur ende në këtë vend.

Pas nënshkrimit të kontratës, Forto deklaroi se Bosnja e Hercegovina është vendi i fundit në Evropë që nuk ka sinjal digjital në servisin publik.

“Pas 15-18 vitesh përpjekje për të bërë diçka që ne nënshkruam në Gjenevë, konventën që nënshkruam së bashku me të gjitha vendet evropiane, disa vite më pas e zbatuan vendet e tjera dhe ne në përputhje me ritmin tonë të punës, e zgjatur në maksimum. Pasi faza e parë u lançua 10 vjet më parë, Banja Luka, Sarajeva dhe Mostari janë në thelb të mbuluara nga një sinjal digjital, është koha që e gjithë Bosnjë e Hercegovina ta ketë dhe përfundimisht t'i bashkohet pjesës tjetër të Evropës”, ​​tha ministri Forto.

Ai ka shtuar se në bazë të kontratës është siguruar mbarëvajtja e punës dhe ka shprehur shpresën se nuk do të ketë vonesa.

“Ne presim që në rreth 18 muaj, sa do të zgjasë kjo, më në fund do të lëshojmë sinjalin digjital dhe do të heqim të gjithë transmetuesit analogë në Bosnjë e Hercegovinë”, tha Forto.

Ndihmësministri Vllatko Drimiq tha se afati për lëshimin e sinjalit digjital është 512 ditë.

“Ne presim që brenda 512 ditëve të lëshohet sinjali dhe i gjithë ky sistem të merret teknikisht dhe të vihet në dispozicion të shërbimeve publike të RTV-së dhe të gjitha stacioneve të tjera televizive në BeH”, tha Drmiq.

Ai po ashtu shpjegoi se tenderi shpesh shtyhej për shkak të kundërshtimeve ndaj dokumentacionit dhe theksoi se Konsorciumi që fitoi tenderin ishte i vetmi me ofertë të kualifikuar. Vlera e blerjes së pajisjeve është mbi 13 milionë euro pa TVSh.


TRT Balkan / agjencitë