Shtetasit e Kosovës nga 1 shtatori 2023 mund të kalojnë nëpër Austri me patent shofer të lëshuar nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Në një njoftim për media nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri bëhet e ditur se një gjë e tillë është bërë e mundur pas ndryshimit të Ligjit Federal të Austrisë dhe aktit respektiv normativ.
"Nga ky lehtësim përfitojnë këto kategori: Qytetarët e Kosovës që në Austri ndodhen si vizitorë; Qytetarët e Kosovës që nëpër Austri kalojnë transit dhe Qytetarët e Kosovës që kanë qëndrim të përkohshëm në Austri", thuhet në njoftim.
Tutje, ambasada njofton se ky lehtësim nuk vlen ende për të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët në Austri kanë qëndrimin e tyre të rregullt me leje qëndrimi.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri njofton po ashtu se bashkë me institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë angazhimin e tyre intensiv për njohjen e plotë të patentë shoferëve, e cila do të lehtësojë konvertimin dhe zëvendësimin e plotë të lejes së patentave për qytetarët e Republikës së Kosovës me leje qëndrimi afatgjatë në Austri.