Franca njoftoi mbështetjen e saj për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) pasi prokurori Karim Khan paraqiti kërkesë për urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe tre liderët e Hamasit.
“Sa i përket Izraelit, do të jetë në dorën e dhomës së procedurës paraprake të gjykatës që të vendosë nëse do t'i japë këto urdhra, pas shqyrtimit të provave të paraqitura nga prokurori në mbështetje të akuzave të tij”, tha të hënën Ministria e Jashtme franceze.
Ata shtojnë se Franca “mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pavarësinë e saj dhe luftën kundër mosndëshkimit në të gjitha situatat”.
Parisi zyrtar kujtoi gjithashtu se "paralajmëroi për disa muaj" për domosdoshmërinë e respektimit të rreptë me ligjet ndërkombëtare humanitare, dhe veçanërisht për "nivelin e papranueshëm të viktimave civile në Rripin e Gazës dhe mungesën e aksesit humanitar".
Qëndrimi i Francës përfaqëson një largim të rëndësishëm nga pozicionet e aleatëve të saj perëndimorë, si Britania e Madhe dhe Italia, si dhe ShBA-ja, presidenti i të cilave Joe Biden e quajti vendimin "të egër".
Franca shquhet si një nga vendet e pakta perëndimore të gatshme për të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit, duke përfshirë kritikimin e vetos së ShBA-së për rezolutat e armëpushimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe nxitjen për një armëpushim të menjëhershëm.
Izraeli sulmoi Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar që vrau rreth 1.200 njerëz.
Më shumë se 35.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë dhe më shumë se mbi 79.000 janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.