Gjermania kontrollon të gjithë kufijtë tokësorë / Photo: AA

Gjermania filloi kontrollet e rastësishme kufitare me pesë vende të Evropës Perëndimore të hënën me qëllim për të goditur emigracionin e parregullt dhe duke zgjeruar një sistem kontrolli tashmë të vendosur në katër kufij të tjerë.

Kontrollet policore filluan të hënën në mëngjes në kufijtë me Francën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Danimarkën dhe duhet të vazhdojnë për gjashtë muaj. Që nga viti i kaluar, Gjermania ka kryer kontrolle në kufijtë e saj me Poloninë, Republikën Çeke, Austrinë dhe Zvicrën.

Gjermania, që është anëtare e Bashkimit Evropian, njoftoi javën e kaluar se po zgjeronte kontrollet kufitare në të nëntë kufijtë e saj tokësorë, si pjesë e përpjekjeve për të goditur emigracionin ilegal dhe krimin pas sulmeve të fundit ekstremiste.

Qeveria e koalicionit të majtë-liberal të Gjermanisë është nën presion në rritje për të frenuar migrimin e parregullt pas një sulmi me thikë në qytetin perëndimor të Solingen muajin e kaluar që vrau tre persona dhe plagosi tetë të tjerë. Sulmuesi ishte një azilkërkues sirian. Autoritetet njoftuan se i dyshuari erdhi në Gjermani në vitin 2022, por nuk kualifikohej për statusin e refugjatit në atë vend. Vitin e kaluar, ai supozohej të deportohej në Bullgari, vendi i parë i BE-së ku hyri. Grupi terrorist DAESh mori përgjegjësinë për sulmin.

Gjermania është destinacioni kryesor për migrantët e parregullt dhe azilkërkuesit që mbërrijnë në Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, autoritetet gjermane regjistruan 266.224 raste të hyrjes dhe qëndrimit të paligjshëm. Shumë nga migrantët e parregullt ishin azilkërkues nga Siria dhe Afganistani.

TRT Balkan / agjencitë