Gjermania shprehu sot shqetësim të fortë në lidhje me bisedimet e drejtpërdrejta të presidentit amerikan Donald Trump me presidentin rus Vlladimir Putin për negociatat e paqes në Ukrainë, të cilat u zhvilluan pa koordinim paraprak midis aleatëve evropianë.
"Asgjë nuk do të fitohej me një paqe të rreme – pa miratimin e ukrainasve dhe evropianëve", tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në një deklaratë.
"Një paqe e rreme nuk do të sillte siguri të qëndrueshme, as për popullin e Ukrainës, as për ne në Evropë apo ShBA", paralajmëroi ajo.
Deklaratat e saj erdhën disa orë përpara hapjes zyrtare të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, ku liderët politikë, ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm nga mbi 60 vende janë mbledhur për të diskutuar çështjet e sigurisë ndërkombëtare.
Baerbock tha se ministrat evropianë do të koordinojnë një politikë të unifikuar për Ukrainën dhe marrëdhëniet e ardhshme me SHBA-në gjatë takimeve të tyre dypalëshe dhe shumëpalëshe në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
"Paqja do të vijë vetëm përmes forcës. Kjo kërkon garanci të forta dhe afatgjata të sigurisë për Ukrainën, një NATO të fortë dhe përparim në negociatat e anëtarësimit të Ukrainës në BE", tha ajo.
"Si evropianë, si gjermanë, ne qëndrojmë fort në krah të Ukrainës – me mbështetje ushtarake, humanitare dhe financiare", shtoi kryediplomatja gjermane.
Nënpresidenti amerikan JD Vance dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, të dy pjesëmarrës në konferencën e Mynihut, është planifikuar të zhvillojnë sot takimin e tyre të parë dypalësh që nga telefonata e Trumpit me Putinin në lidhje me negociatat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Të mërkurën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth u tha homologëve të tij evropianë në Bruksel se administrata e Trumpit e konsideron kthimin e Ukrainës në kufijtë e para-vitit-2014 "një objektiv jorealist".
Ai gjithashtu përjashtoi anëtarësimin në NATO për Ukrainën dhe deklaroi se çdo garanci sigurie që i ofrohet Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje paqeje "duhet të mbështetet nga trupa të afta evropiane dhe joevropiane".
Ai theksoi se trupat amerikane nuk do të vendosen në Ukrainë.