Një stuhi e fortë goditi rajonet lindore dhe jugore të Spanjës.
Carlos Mazon, kreu i qeverisë autonome të Valencias në lindje të vendit tha se ne disa rajone janë regjistruar viktima.
"Janë gjetur trupa në disa zona. Kërkimi për të zhdukurit është në vazhdim. Për respekt të familjeve, ne nuk do të japim informacion shtesë", tha Mazon.
Ai theksoi se kjo është fatkeqësia më e madhe që ka goditur këtë zonë që nga viti 1996.
Mediat lokale raportuan se një person ishte zhdukur në Valencia dhe gjashtë në Albacete.
Ata njoftuan se kushtet e pafavorshme atmosferike kanë shkaktuar dëme të mëdha në rajonet lindore dhe jugore, ku kanë rënë mbi 200 litra reshje për metër katror.
Autoritetet raportuan se sipërfaqet bujqësore u përmbytën, qindra automjete u dëmtuan, pemët u rrëzuan, rrugët dhe urat u shembën, si dhe pati ndërprerje të rënda në qarkullimin rrugor dhe hekurudhor.
"Po ndjek nga afër dhe me ankth informacionin për personat e zhdukur dhe dëmet e shkaktuara nga shiu i dendur dhe stuhia e orëve të fundit. Të gjitha shërbimet e urgjencës dhe mbrojtja civile janë në detyrë. Le të shmangim udhëtimet e panevojshme”, tha kryeministri Pedro Sanchez.