Më shumë se 30 persona të plagosur në një aksident me teleferik në Spanjë           Foto: Mbrojtja Civile e Spanjës

Një aksident i rëndë ka ndodhur në një teleferik në një qendër turistike skijimi Astun në Spanjë, pranë kufirit me Francën, duke lënë të plagosur të paktën 30 persona.

Sipas raportimeve të para, autoritetet njoftuan se nëntë persona janë në gjendje kritike për jetën dhe tetë të tjera janë plagosur rëndë.

Shkaku i aksidentit ende nuk dihet, por sipas gjetjeve fillestare, ka ndodhur një shkëputje e rrotës që mbante kabllon prej çeliku të teleferikut.

“Duket sikur kablloja u lirua, teleferiku u lëkund dhe njerëzit po binin prej tij”, thanë dëshmitarët okularë.

Vendpushimi i skive është mbyllur menjëherë pas aksidentit dhe po zhvillohet një operacion i gjerë shpëtimi për transportimin e të plagosurve në spitalet e afërta me ambulancë dhe helikopter.

Rreth 80 persona janë ende të bllokuar në teleferik.

Qendra e skijimit Astun, e cila është kryesisht e preferuar nga skiatorët spanjollë, ndodhet pranë kufirit spanjollo-francez në malet Pirineje.

TRT Balkan / agjencitë