Kosova feston sot 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Qeveria e Kosovës e ka shënuar këtë ditë me një mbledhje festive për nder të pavarësisë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka uruar 15-vjetorin e pavarësisë, duke dërguar porosi se festa shkon bashkë me punën. Ai tha se pavarësia e Kosovës u arrit me luftë dhe sacrificë dhe duhet punë për ta mbajtur dhe forcuar atë.
“Pavarësia jonë u arrit nëpërmjet luftës dhe sakrificës, por pavarësia jonë do të rritet vetëm nëpërmjet punës. Jo nëpërmjet rrugëve të shkurtra që tentohen nga njerëz joseriozë”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se është përgjegjësi e gjithsecilit që të ketë parasysh amanetin e atyre që sakrifikuan për liri dhe të gjeneratave të reja që po vijnë.
“Tek përgjegjësitë tona duhet dalluar dy sosh: e para, të kemi parasysh gjithnjë trashëgiminë tonë, amanetet të gjeneratave që kanë dhënë gjakun dhe djersën për lirinë e Kosovës edhe pse nuk kanë arritur ta shijojnë atë. Çdo ditë e jona duhet të nisë me përkujtimin e këtij amaneti. Ky amanet është i paneglizhueshëm sepse nuk erdhëm ne këtu nga zeroja, Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë së vet, shekuj dhimbjesh që sot të kemi këtë gëzim. E dyta, duhet të kemi gjithnjë parasysh të rinjtë, fëmijët e edhe ata të cilët nuk kanë lindur ende e të cilëve ne duhet patjetër t'u lëmë një Kosovë më të mirë sesa ajo që e kemi gjetur”, deklaroi Albin Kurti.
Kosova shpalli Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.