Kosova shënon nesër 15-vjetorin e shpalljes solemne të pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008. Vetëm një ditë pas deklarimit të pavarësisë, më 18 shkurt 2008 Türkiye pranoi zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Byroja e Bashkëpunimit e Republikës së Türkiyes në Prishtinë, e cila u hap në vitin 1999, u ngrit në nivelin e ambasadës në vitin 2008.
Si vend anëtar i NATO-s, Türkiye kishte rol të rëndësishëm edhe në bombardimet ndaj ish-Jugosllavisë së Millosheviqit në vitin 1999. Populli shqiptar dhe ai turk në përgjithësi kanë mbajtur lidhje të forta historike dhe kulturore prej më herët përgjatë historisë.
Por, si qëndron aktualisht bashkëpunimi në nivel shtetesh?
Mbështetje për fuqizim të ushtrisë dhe policisë
Türkiye po angazhohet prej vitesh që t'i ndihmojë Kosovës në fuqizimin dhe modernizimin e ushtrisë së saj. Forcat e Armatosura të Türkiyes (TSK) kanë bërë disa herë donacione për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Të dyja vendet kanë nënshkruar Marrëveshjen bilaterale për Bashkëpunim Financiar Ushtarak në vitin 2019, gjatë vizitës së Ministrit turk të Mbrojtjes Hulusi Akar në Prishtinë.
Që atëherë, janë dhuruar donacione në vlerë miliona dollarësh nga ushtria turke për ushtrinë e Kosovës.
Ngjashëm, mbështetje serioze është ofruar edhe për Policinë e Kosovës, e cila në kuadër të disa projekteve është trajnuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA.
Mbështetje shëndetësisë, arsimit, bujqësisë…
Nëpërmjet TIKA-s, Türkiye ka ndihmuar zhvillimin e shumë fushave në shtetin dhe shoqërinë e Kosovës. Nga viti 2004 deri në vitin 2020, TIKA ka realizuar mbi 650 projekte në Kosovë.
Mbi 100 projekte janë realizuar në fushën e shëndetësisë, duke përfshirë kryesisht rinovimin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, mbështetjen me pajisje dhe krijimin e laboratorëve të analizave mjekësore, si dhe trajnimin e personelit shëndetësor.
TIKA ka realizuar edhe 250 projekte në fushën e arsimit, duke bërë rinovimin dhe ndërtimin e shumë shkollave dhe furnizimin e tyre me pajisje.
TIKA, e cila gjithashtu kryen programe dhe projekte të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, ka zbatuar afërsisht 40 projekte në këtë fushë, përfshirë edhe Programin e Zhvillimit Bujqësor dhe Programin e Mbështetjes së Ushqimit dhe Sigurisë së Jetës.
Disa projekte janë ndërmarrë për ruajtjen, restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe historike.
Türkiye, eksportuesi më i madh në Kosovë
Shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Türkiyes është në rritje dhe përmirësim të vazhdueshëm.
Gjatë vitit 2022, Türkiye ishte eksportuesi më i madh në Kosovë. Vlera e importit të mallrave turke në Kosovë kapte vlerën rreth 840 milionë euro.